top of page

Fusha që digjej...

Ishte pasditja përpara Luftës që do fillonte mes Pozitivusit dhe Negativusit. Nero ishte ulur këmbëkryq në fushën e gëjrë, të mbetur djerrë. Gjurmë të zjarreve që e kishin djegur prej shekujsh kishin mbetur edhe tani, me flakë që kërcisnin vende-vende.

Ishte duke pritur Plutonian.

Asnjëri prej të dyve nuk e dinte sa do zgjaste Lufta—dhe rrjedhimisht, sa do zgjaste ankthi që nuk do i linte të qetë, edhe kur të shiheshin bashkë mespërmes sulmeve dhe magjive që godisnin kundërshtarët. Mbi të gjitha, nuk dinin nëse do të ktheheshin që të dy.

Neroja pa përsëri rreth e rrotull. Ishte ende i vetëm në atë pjesë toke të shkretuar. Plutonia po vonohej, si gjithmonë. Megjithatë, kishin një kohë shumë të gjatë për të qendruar bashkë, pranë njëri-tjetrit. Do të ishin aty, vetëm ata të dy, deri në agun e ditës tjetër. Por vonesa e saj e rrezikonte shumë atë kohë.

Jo, nuk ishte aspak kohë e mjaftueshme për ata të dy. Kurrë koha nuk do të mjaftonte kur ata ishin bashkë. Aq më tepër, nuk do të mjaftonte kjo ... gjysmëditë. Ata nuk do të ishin me njëri-tjetrin. Ata do të prisnin, krah njëri-tjetrit, atë që mund të ishte fare mirë fundi i njërit prej tyre ose i të dyve.

Ndonjëherë, flakët e zjarrta që vazhdonin të digjeshin pa pushim në vende të Fushës, ngrinin një hi që shpërndahej lart në ajër si borë që binte e lehtë dhe paqësore, pavarësisht se e akullt. Neros i mungonte dëbora. Jo se kishte përjetuar ndonjëherë, por nga ato që kishte parë së largu, kur kundronte Pozitivusin në monitorët e tij, i dukej diçka shumë e bukur.

-Nero!

Ishte zëri i Plutonias. Ai ktheu kokën menjëherë dhe brofi në këmbë. E pa teksa vinte drejt tij, me hapat e saj të zakonshëm agresivë por njëkohësisht elegantë. Kishte veshur një kimono, ngjyra e të cilit i përngjante një smeraldi të nxirë nga hiri i ndonjë zjarri të djegur aty pranë. Neroja e puthi sapo u gjendën mjaftueshëm pranë dhe ledhatoi flokët e saj, duke i lëshuar nga bishti në të cilin ishin lidhur.

Plutonia ndjente trupin e nxehtë të Neros poshtë saj. Ajo ishte mbështetur në kraharorin e tij dhe ai e kishte rrethuar me krahë.

-Do të doja që kjo natë të mos mbaronte kurrë,-pëshpëriti.

-Edhe unë.

Plutonia u ngrit dhe e pa në sy. Sytë e tij, fytyra e tij, ishte e zhveshur nga çdo mendim, nga çdo shprehi. Ai thjesht kishte një fytyrë. AI thjesht kishte dy sy. Për herë të parë, ajo nuk po e lexonte dot.

-A ke frikë për nesër?

-E vetmja frikë që kam,-foli ai duke i kapur mjekrën butë me gishta,-është që mund të mos qëndrojmë më kurrë kështu.

Ajo e mbështeti sërish kokën në kraharorin e tij, duke dashur të ishte sa më pranë esencës së tij, qenies së tij, ndërkohë që shpresonte që koha të ndalte.

-Unë mendoj se do të jemi ... do të kemi mundëisnë të kthehemi sërish këtu. Do

fitojmë. Nesër do jetë një betejë shumë e shkurtër. Pozitivusianët nuk kanë as më të voglën ide që ne po shkojmë për t’i vrarë.

-Dhe për të marrë gjithë pushtetin që ata kanë.

-Për të mbretëruar ne. Vetëm ne.

Ata ranë përsëri në heshtje. Asgjë nuk lëshonte tingullin më të vogël. Asgjë nuk i pengonte të flisnin. Dëgjoheshin vetëm kërcitjet e flakëve që vazhdonin të digjeshin si dikur. Në një tjetër rast, mbase ata tinguj të lindur prej zjarreve do ishin të ëmbël. Për Neron dhe Plutonian, mund të ishin lajmësa të kobshëm.

Në qetësinë që i kaploi, nxehtësia e tyre po venitej dhe po zëvendësohej me ftohtësinë e ajrit.  Asnjëri nuk po merrte gjithçka nga tjetri. Ishte aq e qartë që këtë natë do ishin vetëm ata të dy në qendrën e botës, por tani dukej thjesht si një takim më shumë.

-Nero, unë ...

Ajo hezitoi. Ngriti kokën dhe pa sërish fytyrën e tij. Ai priste me kërshëri fjalët e tjera që do të thoshte. Ajo ndjeu peshën e syve të tij dhe e uli përsëri kokën, duke qëndruar e heshtur.

-Çfarë ka? Më thuaj,-këmbënguli Neroja.

-Asgjë. Të dua,-i tha.-Doja të ta thoja edhe një herë.

-Edhe unë të dua,-buzëqeshi ai dhe e puthi në flokët e ngatërruar.

Ajo mbylli sytë, e penduar. Nuk mundej—nuk donte—t’ia thoshte se priste fëmijën e tij. Nëse e bënte, do ia ngatërronte keq mendimet atij dhe vetes. Në luftën që do fillonte të nesërmen mund të ndodhte gjithçka. Ky fëmijë, që rritej në barkun e saj dhe merrte jetën nga burimet frymore të saj, mund të kishte një fat të tmerrshëm. Ishte i dënuar, pa lindur, që të merrte pjesë në një luftë. Mudn të ishte i dënuar, ende pa u bërë një fetus i mirëfilltë, të zhdukej bashkë me pluhurin e luftës—bashkë me vetë Plutonian.

Nëse do i mbijetonte luftës, nëse edhe ajo edhe fëmija do i mbijetonin luftës, do ishte e lumtur dhe do ia thoshte Neros menjëherë, sapo të ktheheshin fitimtarë në tokën e tyre. E nëse Neroja nuk kthehej?

Gjithë mendimet e saj u formuan në lotë që pikuan pa patur mundësi të ndalnin. Neroja e kuptoi.

-Pu, çfarë ke?

Në fillim nuk iu përgjigj. Pastaj, si kaloi rrufeshëm dhe pabesisht një ide në kokën e saj, ajo u ngrit ndenjur dhe qëndroi përballë tij, ende e goditur nga ideja.

-Le të ikim, Nero. Ikim. Zhdukemi, shkojmë  deri në fund të botës, por të

zhdukemi. Do të jemi vetëm unë dhe ti. Nuk kemi pse luftojmë nesër. Nuk kemi pse jetojmë në një vend si ky. Do krijojmë një jetë më të mirë. Askush nuk do guxojë të na thotë se çfarë duhet të bëjmë.

Fytyra e Neros e shprehte hapur mosrënien dakord.

-Pu, çfarë po thua? Jemi përgatitur për këtë betejë prej kohësh. Duhet të marrim atë që na përket me të drejtë, atë që pozitivusianët na e morrën.

-Por mund të mos e marrim. Mund të mbetemi po kaq keq sa jemi edhe tani.

Unë nuk dua të të humbas, Nero. Dhe nuk dua as që ti të më humbasësh. Të lutem, nuk dua të ndahemi.

-Nuk do të ndahemi,-tha ai duke theksuar mirë fjalët. Pëpriqej të tregohej bindës, por e shihte se Plutonia nuk kishte për të ndryshuar qëndrim, jo kaq shpejt, të paktën.-Pu, nuk do të ndahemi. Do të shkojmë në një luftë që do e fitojmë. Dhe kur të kthehemi fitimtarë, gjithçka do jetë akoma më mirë. A nuk do që të hakmerresh për ato që të kanë bërë pozitivusianët?

Plutonia mbeti. Aty iu shpërqendruan mendimet nga Neroja, tek e shkuara e saj.

Ajo kishte jetuar në Pozitivus, bashkë me motrat e saj zana. Por kur piratët e Pozitivusit Lindor, epshorë më shumë se satirët mitologjikë, kishin zbritur në brigjet ku jetonte ajo me të motrat, kishte zbritur nga fatet qiellore në tokën e ngrirë fundi i saj. Ata e përdhunuan dhe i shkulën krahët. Pastaj e rrëmbyen dhe e çuan në haremin e mbushur me djelmosha të paduruar për t’i thirrur sulltanesha Ozlem. Krahët e saj, të fuqishëm dhe luftarakë ndaj gravitetit, nuk i kishte më. Kujdestaret e haremit u siguruan që të mos i rriteshin më krahët, duke i dhënë barna e helme për të ndaluar zhvillimin e saj të mëtejshëm si zanë. Ishte vetëm një objekt për të shfryrë epshet dhe shpirtrat e ndezur. Ajo kurrë nuk u shërua.

Dhe pastaj ndodhi që u arratis, me një tjetër robinë që shfrytëzohej nga djemtë e haremit mashkullor. U arratis dhe u kthye sërish në brigjet e mbretërisë së madhe të akullt. Por aty motrat e saj nuk e pranuan. Nuk e donin më, nuk ishte më si ato— dhe ato nuk ishin si ajo. E gjendur pa asnjë shpresë, pa asnjë pikë fuqie magjike të mbetur në trupin e saj, e mbushur vetëm me inat, mllef e urrejtje, u mbështet tek ideja e robinës tjetër, për të shkuar në Negativus, aty ku do ishte më e sigurt. Dhe pastaj do të hakmerrje për të gjitha padrejtësitë e saj.

Në Negativus erdhën në oborrin e Tenebres dhe kërkuan ndihmën dhe strehën

e tij. Ai ishte i gatshëm për më shumë se kaq. Ai përdori përzierje të tij të elementeve kimike dhe ua dha vajzave. Ato pinë plutonium. Por vajza tjetër nuk kishte qenë zanë, ajo nuk kishte qenë as krijesë magjike. Ajo kishte qenë tejet e thjeshtë dhe vdiq. “Ti je krijimi im i bukur për sot,” i kishte thënë Tenebre. “Gjenet e tua magjike të ndaluan helmimin nga elementi, por ti je tahsmë elementi. Dhe do mundesh të helmosh kë të duash. Të lëndosh e të vrasësh kë të duash. Të hakmerresh dnaj atyre që të kanë bërë padrejtësi. Të vendosësh në vend drejtësinë për veten tënde.”

Këto i kishte thënë Tenebre. Ajo ishte fuqizuar shumë, më pas ishte dashuruar me Neron, krahun e djathtë të Tenebres. Gjithë ato vite kishin sjellë në këtë moment, që ajo të shkatërronte Pozitivusin. Si fillim do helmonte motrat e saj, që nuk e pranuan më. Pastaj do helmonte fundërrinat që i shkatërruan jetën.

Kur piu plutoniumin, nuk vdiq vetëm vajza tjetër, vdiq edhe ajo vetë. Vdiq ajo pjesë e saj që kishte qenë zanë, që kishte qenë motër, që kisht qenë e përdhunuar, që kishte qenë e mposhtur.

Atë ditë kishte lindur ajo si Plutonia. Nuk e mbante mend emrin që kishte më parë. Madje edhe kur i kujtohej, e zhyste në kthinat më të ulta të trurit dhe e harronte sërishmi. Ajo ishte Plutonia.

-Po,-tha.-Po, dua të hakmerrem. Dhe do pi gjakun e tyre, do ha trupat e tyre pa jetë.

Gjaku që imagjinoi të rridhte nga trupat e pozitivusianëve, ishte afrodiziaku më i fuqishëm që kishte përjetuar ndonjëherë. Iu sul Neros për ta puthur dhe u ul sërish në prehrin e tij.


                                                                                                  *     *     *

Qielli kishte derdhur gjithë yjet dhe i kish humbur në pafundësinë e tij. Duke u ndjerë bosh, Plutonia do të dilte te Fusha. Neroja e priste aty. Të paktën ata të dy ishin kthyer nga lufta. Vendosi duart në bark dhe ndjeu se mund të prekte boshllëkun e tij. Ai nuk ishte më aty. Ajo nuk ishte më aty. Djali ose vajza nuk ishte më aty. Ajo nuk po mbante më akënd brenda saj. Ndihej bosh.

Bosh.

Bosh, bosh, bosh, bosh.

Dhe kishte dhimbje.

Dhimbje.

Dhimbje, dhimbje, dhimbje.

Nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar të shkuarën. Ajo kishte dashur të shkatërronte Pozitivusin dhe ia kishte dalë. Dhe Pozitivusi sërish e kishte shkatërruar atë. Por tani askush nuk mund ta shpëtonte. S’kishte nga çfarë ta shpëtonte. E keqja e saj më e madhe, armiku i saj më i amdh, ishte boshllëku dhe dhimbja. Nuk kishte si të shpëtonte.

Por jashtë e priste Neroja. Ai mund të ishte shërimi i saj. Ose të paktën diçka e tillë, diçka e përafërt. Nuk do i thoshte asgjë për fëmijën. Ai nuk e dinte se kishte ekzistuar ndonjëherë, kështu që nuk kishte pse të dinte për mosekzistencën e tij tani.

Ajo u drejtua nga dalja. Kur ajri i ftohtë, i rëndë dhe mbytës i goditi fytyrën, e kuptoi se tani jeta e saj në Negativus nuk kishte ndonjë qëllim të veçantë. Por ... Neroja e priste. Dhe ajo donte shumë ta takonte. Sepse ai ishte i vetmi që kishte mbetur për të ... për të mbushur me ndonjë motiv jetën e saj.

bottom of page