top of page

Revoltë e Përulur

Ditët e zymta kalojnë njëra pas tjetrës. Bie shi. Njerëzit vazhdojnë jetën e tyre si zakonisht, ose ashtu mendojnë, sepse diçka ka ndryshuar, jam më se i bindur. Nga qielli ngjyrë qumështi fillojnë të rrëzohen egërsisht disa pika të bardha, të imëta, që vallëzojnë me erën. Ka mbaruar vjeshta e qytetërimit ... Qytetërimi dha frytet e fundit, dhe tani po hyn në fazën e fundit, në finalen e madhe.
Kokën e kthej nga televizori. Programet propagandistike vazhdojnë. E ul kokën dhe vazhdoj të shkuraj këtë ese. Bllokohem. Shkoj nga dhoma tjetër, duke mbajtur stilolapsin ndër gishta. E hedh diku nëpër korridor i kapluar nga nervozizmi. Dal në ballkon. Bora bie imtësisht. Papritur, qielli duket se është zbrazur krejt, se e ka hequr peshën e borës. Nuk bie më. Me një pseudoshpresë të çmendur, krejtësisht të pavend, ngre kokën për të parë mos nga qielli do bjerë mbi vendin e shkretuar ndonjë shigjetë dielli. Ndonjë shigjetë dielli e lidhur me harkun, në mënyrë që ai të ankorohet. Kështu, nuk do të trembem nëse ka vdekur, kur retë ta fshehin. Por ... asgjë s'ka ndodhur. Qesh me veten për këtë budallallëk që shpresova dhe hyj sërish brenda. Reklamat propagandistike vazhdojnë. Jo ... qenkan lajme, jo reklama. Kishin kapur rebelët dhe i kishin vrarë. Ulem në poltronë dhe vendos kokën mes dy duarve. Imagjinoj sikur të isha unë rebel. Për një moment zhytem në llumin e peripecive që do kisha kaluar. Qesh marrëzisht. Duart, pëllëmbët ... nuk janë të ashpra mjaftueshëm për të mbajtur armën revoltë. Shihem në pasqyrë. Shoh fytyrën e një hipokriti. E godas. Godas veten. Hipokriti qenkam unë! Çudi ... jo, në fakt ka kuptim. Unë jam. Kur jeta ime ishte pjesë e atij regjimit tjetër, nuk e vlerësoja paqen. Ishte gjëja më normale në botë. Tani paqja është diku larg ... paqja shpirtërore u fshihet shpirtrave. Tani e kërkoj, tani dua ta gjej, por nuk ma zë syri askund. Dua të bëj diçka që ta gjej, por çfarë? Nuk jam i zoti ta gjej, nuk kam aftësi ta kërkoj. Sa e vështirë që është.
Kalon pak kohë, bëhem pak më realist. Ky jam unë, nuk bëj dot gjë. Por edhe po të mundesha, do bëja vërtet diçka? Jo. Kam një jetë, që mund të mos jetë më e mira, por ama e kam. Jetoj me frikën se mund tos e kem nga çasti në çast, por nëse rri urtë, nëse nuk kundërshtoj, nëse përulem, jeta ime ka për të qenë e imja, sado gjysmake, sado egoiste, sado frikacake. Do jetoj unë, frikacaku, por do jetoj. Zgjedh të përulem, jo të luftoj, sepse kur bëhet fjalë për jetën, preferoj këtë zgjedhje. Nuk është pesimizëm, është realizëm, dhe në realizëm, ideali shpesh përjashtohet.

bottom of page