top of page

Magji ...

Jam rritur duke parë filma e seriale aventurash magjike, duke lexuar libra rrëfenjash magjepsëse. Jam rritur duke jetuar në një fantazi, duke harruar gjithçka mbi realitetin. "Dramat" e jetës sime personale më ngjasojnë me ndonjë moment epik dramatik të ndonjë seriali televiziv, ose ndonjë fund trondites—mbase nje kthesë e papritur. Dhe ëndrrat ... ëndrrat janë diçka krejt tjetër. Ato janë shkrirë me këtë realitet gri—zgjedhje interesante ngjyre, meqë ra fjala.

          Për një kohë të gjatë, besoja diçka që mund të tingëlloje si budallallëk. Doja të kisha magji. Isha diku rreth 11-12 vjeç. Në atë kohë më vinin ide të çmendura dhe një histori e lezetshme e një vëllai dhe një motre që ishin heronj. Doja të isha si ata, doja të isha si çdo personazh tjetër heroik. Ose thjesht ... të kisha pak magji për veten time—ide egoiste, e di. Ama, këta njerëz magjikë ishin zakonisht në moshën 17-18 vjeç, një moshë që më dukej shumë e largët, tepër e paarritshme—kur kujtohem tani për atë "largësi", uau, kam qenë budalla që e kam menduar. Prandaj gjeta një tjetër moshë për magjinë. Në një serial të animuar për të cilin dija shume pak, personazhi më i ri ishte 13 vjeç dhe kishte fuqi magjike. Duke qenë ëndërrimtari, besova se do e merrja magjine kur te isha 13 vjeç. E dija se nuk do ndodhte, por vazhdova të ëndërroja gjithsesi. Të ëndërrosh nuk të lëndon. Përveçse kur zgjohesh. Dhe unë u zgjova. U zgjova dhe kuptova që magjia nuk ishte aty, magjia nuk ishte tek unë. Kështu, për ta patur në njëfarë mënyre pranë magjinë, vazhdova të krijoja histori dhe t’i shkruaja; ato histori me vëllain dhe motrën magjike. Shkrova çdo ide, dhe një histori e madhe u krijua dhe vazhdoi të ndërtohej derisa vendosa t’i jepja më shumë jetë dhe ta ndaja me botën. Tani, teksa shoh pas, kuptoj se e kam patur magjinë. E kisha kur mbusha 13 vjeç. E kisha edhe më parë, kur isha 12. Ato histori, ato çastet kur kapja një stilolaps, ato çastet kur lija stilolapsin të puthte një fletë boshe; ato ishin magjia ime … këto janë magjia ime.
Kuptova se duke patur magji, ëndrrat e mia nuk do ishin më ëndrra, por do merrnin jetë.

          Ashtu si Harri Poter që lëviz shkopin magjik, Elena Gilbert shkruan në ditarin e saj, dhe miliona personazhe të tjerë luftojnë për të shpëtuar mbretëri galaktike ose vetëm qytetet e tyre, unë tani jam bërë pjesë e një aventure të madhe. Dikush mund të thotë se magjia ime nuk ndihmon askënd tjetër përveç meje. Më beso, dua ta përdor për të bërë gjërat e drejta në këtë botë—heronjtë e mi vërtet nuk kanë mantele, por kanë ideale … edhe unë po ashtu.

          Shkopi zgjodhi Harrin. Këto histori më zgjodhën mua. Dhe unë vendosa t’i tregoj. Vendosa të shkrij fantazinë me realitetin.

          Siç i ndodhi Elena Gilbert, edhe unë gjeta dashurinë që më konsumoi, gjeta pasionin, gjeta një aventurë.

          Ndërsa Klark Kenti fluturon nëpër qiej, unë lejoj këto histori—magjinë time—të më tërheqë mespërmes ferrit.

          Por gjithmonë mbaj në mendje një gjë, kurdo që fluturoj shumë lart dhe kurdo që ndihem mirë me veten: “Nuk ka kuptim që njeriu të zhytet mes ëndrrave dhe të harrojë të jetojë.”

          Duke u bërë drejtësi fjalëve të Urtimorit, zgjodha jo të jetoj në ëndërr, por të jetoj ëndrrën.

bottom of page